Dante Aligeri

"KOMEDIA HYJNORE - FERRI"

Kushtuar Adelinës

 

 

Kënga e tretë

Portat e Ferrit. - Ata që s’kanë bërë as mirë as keq.- Akeroni.- Varka e Karontit.

 

"KËTEJ TI SHKON NË NJË QYTET TË VUAJTUR,

KËTEJ TI SHKON NË DHEMBJEN E PAMATË,

KËTEJ TI SHKON TEK NJERËZ KREJT TË SHUAJTUR;

U SHTY NGA DREJTËSIA KRIJUESI I LARTË; 4

FUQIA HYJNORE DHE DREJTËSIA E KULLUAR

MË STISËN TOK ME DASHURINË E PARË;

VEÇ SË PËRJETSHMES ASGJË S’QE KRIJUAR 7

PËRPARA MEJE; UNË RROJ JETË E MOT;

KUSH HYN KËTU MË S’KA PËR TË SHPRESUAR!"

Ja fjalët që lexova në një portë 10

me bojë fare t’errët sipër shkruar.

I them: "Mësues, kuptimin s’kapkam dot!"

Ma ktheu ai si një njeri i zgjuar: 13

"Këtu do lënë prapa çdo dyshim,

këtu çdo ligësi do shpejt harruar.

Siç të kam thënë, tek ai vend do vijmë, 16

ku njerëz sheh që dhembja aq i tret,

sa mendjen humbin e çdo gjykim".

Pastaj mbi timen dorën e pështet, 19

për të më dhënë mua pak kurajë,

dhe qetësisht më fut në botn’ e fshehtë.

Aq psherëtima, klithma, kujë e vaj 22

ushtonin nën një qiell pa yje-sterrë,

sa në fillim ia nisa shpejt të qajë.

Të ndryshme gjuhë, të folme tmerr, 25

plot fjalë dhembjesh, zemërim i thellë,

përplasje duarsh tok me zë të çjerrë

s’pushonin kurrë nën të fëlliqtin qiell. 28

Arrinte zallahia n’atë shkallë,

sa dukej rërën ngrinte lart pështjellë.

Prej frikës mendja vinte krejt vërdallë, 31

prandaj i them: "Mësues, ç’është ky tmerr?

 Ç’mundim i ndrydh të shkretët vallë?".

Dhe ai më tha: "Në gjendje kaq të mjerë 34

i kanë shpirtrat veç ata fatzinj

që mirë as keq nuk bënë as një herë.

Me ta përzihen shpirtrat e këqij 37

të engjëjve që s’qenë rebeluar,

por që as besë s’patën n’perëndinë.

Qiejt i dëbuan për të mos u shëmtuar, 40

as ferr’ i thellë s’i pranoi kurrë,

shkak s’patën djajt për t’i mëshiruar".

I them: "Mësues, ç’është kjo torturë, 43

që i mundon kaq fort sa derdhin lotë?"

M’u gjegj ai: "Dhe aq gjatë s’po e thur.

Këta as vdekjen s’e kërkojnë dot. 46

Për ta kjo jetë është aq e ligë,

sa luten për një fat tjetër krejt më kot.

Në botë s’lanë gjurmë që s’u fik, 49

mëshirë s’meritojnë, as drejtësi,

nuk po ta zgjas më, por shiko dhe ik".

Tek po vështroja, shoh si me shpejtësi 52

shkon si flamur një duke u vërtitur,

aq sa dhe vrapin si ta ndalë s’di.

Një mizëri vjen pas duke roitur, 55

sa kurrë s’do ta kisha pas besuar,

që vdekja aq fatzinj të kish goditur.

Pastaj, kur ca ndër ta pata dalluar, 58

shpejt njoha unë hijen e atij

që post të madh prej frike pat lëshuar.

Shpejt e kuptova se ky me siguri 61

ish sekti i formuar nga të dënuarit,

që s’i desh zoti, as armiqt’ e tij.

S’u bënë gjallë kurrë të mallkuarit, 64

prandaj, ashtu të zhveshur për munxyrë,

i mbytnin miza e grerëza së kafshuari.

U rridhte gjaku çurk nëpër fytyrë 67

që thithej tok me lotët i përzjerë

te këmbët nga ca krimba fort të ndyrë.

Me që më la të shoh një copë herë, 70

ca njerëz bregut lumit pashë unë.

"Mësues, lejomë, - i thashë atëherë, -

të di se cilët janë e çfarë i shtyn 73

përtej me kaq nxitim për të kaluar,

siç shoh në dritën që aq dobët hyn".

Dhe ai më tha: "Shpejt ke për ta kuptuar, 76

kur ne t’i kemi ndalur hapat tanë

në lumë t’Akerontit të trishtuar".

I shpura sytë e turpshëm unë mënjanë 79

prej frikës mos nga pyetjet u mërzit

dhe heshta lumit sa i vajtëm pranë.

Një varkë vjen drejt nesh, që e vozit 82

një plak i zbardhur pleqërie së thellë.

Bërtet ai: " Mjerë ju me këtë shpirt!

Më mos shpresoni që të shihni qiell! 85

T’ju shpie erdha tek ai breg përballë,

që akull ka dhe terr e zjarr veç vjell.

Dhe ti që je këtu, o shpirt i gjallë, 88

Shpejt ndahu nga këta që kanë vdekur!".

Kur pa se nuk po merrja vesh me fjalë,

"Kjo s’është rrugë a port ti për të prekur 91

në breg, - më tha. - Këtej s’ke pse kalon!

Gjej varkë tjetër rrugën për të ndjekur!".

I thotë prijsi : " Mos u nxeh , Karon! 94

Kështu të bëhet lart u përcaktua,

ku bëjnë ç’duan. Tjetër kot kërkon!".

Fytyra e kërleshtë iu qetua 97

varkarit të kënetës së lerosur,

që sytë i kish me flakë e zjarr qarkuar.

Por shpirtrat, lakuriq e handakosur, 100

kërcitën dhembët e ndërruan ngjyrë

me fjalët vrerë porsa i pat kanosur.

Mallkonin Zotin, prindërit e tyre, 103

gjininë njerëzore, vend e farë,

dhe orën që i lindi për munxyrë

Pastaj u mblodhën gjithë duke qarë 106

në breg të atij lumi të mallkuar

që pret kë s’çan për Zotin kokën fare.

Ky djall Karon, me sy të flakëruar, 109

të gjithë i grish, i mbledh duke bërtitur,

me rremë e godet çdo të vonuar.

Sikur në vjeshtë, vyshkur e venitur, 112

bie gjethi një për një dhe trung’ i tharë

sheh petkat dheut hapur e ronitur,

dhe e Adamit e mallkuara farë 115

një e nga një u ngjit në breg aherë,

si zogjt që ndjell në kurth një zog këngëtar.

Ata u dyndën nëpër dallgët sterrë 118

dhe, para se në breg të kishin zbritur,

u mblodh një turmë tjetër menjëherë.

"Im bir, - më tha mësuesi zemërndritur, - 121

këta që Zoti s’pat me sy të mirë

këtu nga tërë vendet kanë arritur.

Dhe s’e kalojnë lumin me pahir, 124

sepse hyjnorja drejtësi i shtyn

që frika shpejt t’u kthehet në dëshirë.

Këtu një shpirt i mirë kurrë s’hyn, 127

prandaj nëse Karoni t’është akërruar,

kupto kjo sjellje ku e ka arsyen".

Lëndin’ e errët, ai me të mbaruar, 130

nga dridhj’ e fortë befas qe tronditur.

Më dirset balli duke e kujtuar!

Një erë dheu e vaji pati ngritur 133

që dritën e përskuqi aqë shumë

sa ndjenjat shpejt m’i pat fashitur.

Dhe rashë siç bie një që vdiq për gjumë. 136

___________

V. l-9. Mbishkrim mbi portat e Ferrit. Sipas doktrinës së krishtere, Ferri u krijua nga Trinia e Shenjtë: Ati (fuqia hyjnore), Biri (Urtia e kulluar) dhe Shpirti i Shenjtë (Dashuria e parë). U krijua enkas për të ndëshkuar Luciferin. Para tij s’qe krijuar asgjë veç së përjetshmes (qiellit, tokës dhe engjëjve). V. 32. ç’është ky tmerr? - Poeti sheh midis portave të Ferrit dhe brigjeve të Akerontit një hapësirë të mbushur me shpirtrat e atyre që nuk bënë as mirë as keq. Mu për këtë arsye ata nuk meritojnë as të dënohen, as të shkojnë në Parajsë. V. 37. Me ta përzihen shpirtrat e këqij - Janë shpirtrat e engjëjve që s’u bashkuan as me Perëndinë, as me Luciferin, kur ky ngriti krye. V. 59. hijen e atij - Papa Çelestin V që u zgjodh në këtë post në vitin l294, kur ishte 79 vjeç. Ai dha dorëheqje pas pesë muajsh i shtyrë nga kardinali Benedeto Kaetani, i cili e trashëgoi me emrin e Bonifacit VIII. Ky e futi Çelestinin në burg dhe e mbajti aty gjersa vdiq. V. 78. Akeronti - Në botën antike lum i përtejvarrit. Ai rrjedh edhe në Ferrin e Dantes. Në fillim ai quhet Akeront (gr. lumi i trishtimit) dhe pështjell rrethin e parë të Ferrit. Pastaj zbret poshtë dhe formon kënetën e Stigjes (gr. i urryer), në të cilën ndëshkohen zemërakët. Më tutje ai kthehet në Flegjeton (gr. përvëlues). Pasi përshkon me këtë emër pyllin e vetëvrasësve dhe shkretirën, ku bie shiu i zjarrtë, ai bie si një katarakt plot zhurmë dhe derdhet në thellësi. Në qendër të tokës ai kthehet në liqenin e ngrirë të Kocitit.V. 83. një plak i zbardhur - Karonti, që transportonte shpirtrat në botën antike të përtejvarrit. Të njëjtën gjë bën ai edhe në ferrin e Dantes. V. 93. Gjej varkë tjetër - Me që Dante nuk është i dënuar, Karonti mendon se ai duhet të udhëtojë me një varkë tjetër, më të lehtë, që i shpie shpirtërat në Purgator.

 

Back to Top

 


Dante Aligeri — "Komedia Hyjnore — Ferri" — Shqipëroi Çezar Kurti, Kurti Publishing, New York, 1996.

Copyright©1996 by Kurti Publishing.